Saturday, September 26, 2009


Shtetet Ilire


Në fundin e shek. V ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare. Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane. Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë. Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë. Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm. Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës malazeze Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405, u morr peng nga pushtuesit turq që në moshë të mitur dhe u dërgua në oborrin e sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (icogllanëve) që përgatiste komandantë e nënpunës.Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskender (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti "(Skënderi)" kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titullin bej. Ai nuk e harroi kurrë Atdheun e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Për mëse 12 vjet (1426-1438) ishte në Shqipëri. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t'i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.Megjithatë Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t'u kthyer përfundimisht në Shqipëri, deri në vitin kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkembja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare.Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës.Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë.I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rrjesht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali._________________JAM KRENARE QE JAM SHQIPTARE !!!